Ulja e ndjeshme e çmimeve të roaming-ut të të dhënave ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së do të nisë që nga 1 tetori 2023
Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur sot në Tiranë, operatorët e telekomunikacionit nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ballkani Perëndimor nënshkruan një Deklaratë Roaming që mundëson uljen e tarifave roaming midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që nga 1 tetori 2023.
Olivér Várhelyi, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, tha:
“Mirëpres deklaratën e nënshkruar sot nga operatorët e telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin e tyre për të filluar reduktimet e para në tetor 2023.
Tranzicioni digjital për BE-në dhe partnerët e saj është në krye të agjendës sonë të Lidhshmërisë. Bërja e shërbimeve të telekomunikacionit celular të përballueshme dhe të arritshme është thelbësore për këtë tranzicion. Ndërsa po reduktojmë tarifat roaming midis BE-së dhe rajonit, ne afrojmë më shumë njerëzit dhe bizneset. Objektivi ynë është që kur të na vizitoni ose kur ne t’ju vizitojmë, të gjithë të ndihemi gjithnjë e më shumë si në shtëpinë tonë. Ky është integrimi i vërtetë i Ballkanit Perëndimor për të cilin duhet të punojmë të gjithë.”
Ky është fillimi i procesit që synon të arrijë një ulje të konsiderueshme të tarifave roaming për të dhënat më 1 tetor 2023 dhe ulje të mëtejshme që çojnë në çmime afër çmimeve të brendshme. Çdo operator telekomunikacioni i Ballkanit Perëndimor dhe i BE-së, nënshkrues i Deklaratës, do të marrë në konsideratë prezantimin e planeve dhe opsioneve të tarifave të shitjes me pakicë, me tarifa më të ulëta për përdoruesit e tyre roaming në rrjete të tjera celulare, pas uljes së parë të konsiderueshme të çmimeve të roaming-ut të të dhënave që nga 1 tetori 2023.
Është e rëndësishme që politikëbërësit në Ballkanin Perëndimor të përshpejtojnë zbatimin e reformave të politikave në sektorin e telekomunikacionit, të cilat janë në përputhje me konkluzionet e Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor 2022, me qëllim krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe një mjedisi më të favorshëm biznesi. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet t'i zbatojnë këto reforma politikash jo më vonë se fundi i vitit 2023.
Duke u mbështetur në suksesin e regjimeve “Roaming si në shtëpi”, si në BE ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, qëllimi i kësaj përpjekjeje është të mbështesë lëvizshmërinë dhe të thjeshtojë lidhjen e qytetarëve dhe bizneseve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Përfitimet janë të shumëfishta. Kjo do të zvogëlojë koston roaming për qytetarët në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në BE, ndërsa udhëtojnë në rajon dhe në BE, si dhe do të ulë kostot operative të biznesit dhe do të inkurajojë të bërit biznes jashtë kufijve të tyre. Kjo nismë është e jashtëzakonshme, veçanërisht pasi është bërë në baza vullnetare ndërmjet operatorëve të telekomunikacionit.
Kjo Deklaratë është rezultat i angazhimit të fortë të operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, mbështetjes së Komisionit Evropian, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, si dhe angazhimit të autoriteteve të rajonit që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes Rajonale Roaming të Ballkanit Perëndimor. Operatorë të tjerë të telekomunikacionit, si nga BE ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor, janë të ftuar t'i bashkohen nismës.