Vëzhgimi i shpendëve në ligatinën e Durrësit dhe rëndësia e një lagune të vogël në një rrugëtim të gjatë

Ligatina e Durrësit, në afërsi të fshatit Fllakë, ofron një pamje mjaft unike herët në mëngjes, teksa vërehen me qindra shpendë matanë pishave të larta. Duke ecur nëpër dunat e rërës, krahas dhjetëra shpendëve të ujit e rosave dimërore, të cilat janë banorët më të shpeshtë në këtë periudhë të vitit, herë pas here vërehen edhe specie të rralla e të rrezikuara.

“Tani mund të shihni Cinjën (Vanellus vanellus). Ky shpend mund të dallohet nga një ngjyrë e errët metalike dhe një pendë në kokë. Kjo specie gjendet në Shqipëri në dimër dhe nuk është parë shumë shpesh në ligatinat e vendit. Madje as nuk mundëm ta regjistronim dot në Regjistrimin e Shpendëve Ujorë gjatë janarit 2024”, thotë biologja Ledi Selgjekaj, teksa i jep dylbitë një nxënësi të ri nga shkolla “Dhosi Liperi” në Sukth të Durrësit.

Dorjani ka shumë pyetje për të bërë, pasi i duket mjaft interesante jeta e shpendëve; fluturimi i mbijetesës nëpër kontinente dhe rruga migratore nga Afrika apo Siberia drejt lagunës pranë shtëpisë së tij. Tetëmbëdhjetëvjeçari është një nga njëzet nxënësit e shkollës “Dhosi Liperi” që ishin pjesë e një ekskursioni dhe mësimi në natyrë në Ditën Botërore të Ligatinave, organizuar në kuadër të “Fushatës së Gjelbër” nga Shtëpia e Evropës së bashku me Shoqatën për Ruajtjen dhe  Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Tema e Ditës Botërore të Ligatinave këtë vit është “Ligatinat dhe mirëqenia njerëzore”, e cila synon të nxjerrë në pah se si të gjitha aspektet e mirëqenies njerëzore: fizike, mendore dhe mjedisore,  janë të lidhura me shëndetin e ligatinave në botë, duke marrë parasysh rolin e tyre jetik për biodiversitetin.

Për nxënësit, të cilët jetojnë pak kilometra më larg, ishte hera e parë që merrnin pjesë në një vëzhgim shpendësh apo që i shikonin ata përmes teleskopit. Duke qenë se e njohin zonën për plazhet e verës, nuk ishin të vetëdijshëm për ngjyrat e saj dimërore dhe rolin e rëndësishëm që përfaqëson ligatina e Durrësit, si pjesë e korridorit të Rrugës Migratore të Adriatikut (Adriatic Flyway), për mijëra shpendë shtegtarë.

Durres Wetland Group Visit

Nxënësit vëzhguan lloje të ndryshme shpendësh, si pulëbardha e zakonshme (Larus ridibundus), pulëbardha këmbëverdhë (Larus michahellis), shqipja e kënetës (Circus aeruginosus) etj., por ata ishin vërtet kureshtarë për pelikanët kaçurrelë.

“Nuk e pamë dot pelikanin kaçurrel sot, por ai e ka vizituar zonën për ushqim disa herë. Është një specie shumë e rrezikuar dhe bën fole vetëm në lagunën Divjakë-Karavasta. Një pelikan kaçurrel i pajisur me GPS është vërejtur për një kohë të gjatë në këtë zonë. Aty pranë, janë vërejtur specie të rralla gjatë rrugëtimit”, thotë Selgjekaj, duke përmendur edhe dallëndyshen e detit, një tjetër specie e rrallë dhe e rrezikuar, e cila është nën mbrojtje.

Nxënësit e rinj u befasuan kur zbuluan rëndësinë e një lagune të vogël pranë shtëpive të tyre në rrugëtimin e gjatë të shpendëve. Sipas regjistrimit të muajit të kaluar, rreth 4.000 lloje të ndryshme shpendësh e kanë kaluar dimrin në këtë ligatinë.

Teksa seanca e mësimit në natyrë me nxënësit, e fokusuar tek eksplorimi i biodiversitetit, po shkonte drejt fundit, shpendët luanin mbi ligatinë, duke përplasur flatrat, duke fluturuar lart e duke shkarë mbi ujë.

 

Të dhëna

Gjatë Nëntorit 2023, Delegacioni i BE-së në Shqipëri nisi “Fushatën e Gjelbër”, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, politikëbërësve, shoqërisë civile, bizneseve dhe aktorëve të tjerë rreth çështjeve mjedisore që prekin vendin.

Një tjetër program, “BE për ekonominë qarkulluese”, ka nisur të trajtojë pasojat e dëmshme mjedisore dhe shëndetësore që vijnë nga mbetjet e ngurta në rajonet e mbetjeve të Kukësit dhe Gjirokastrës. Ai synon të rrisë cilësinë e jetës për 190.000 banorë në qarkun e Kukësit dhe Gjirokastrës.