Delegacioni i BE-së në Shqipëri jep bursa EMJMD për 19 studentë shqiptarë

Sot Delegacioni i BE-së në Shqipëri ofroi Bursa për Diplomë të Përbashkët Master Erasmus Mundus (EMJMD) për 19 studentë shqiptarë. Falë bursave EMJMD, të financuara plotësisht nga BE-ja, ata do të ndjekin studimet master në vende të ndryshme evropiane.

Para nisjes u organizua një ceremoni e veçantë për të shënuar fillimin e udhëtimit të 19 studentëve EMJMD. Aktiviteti u zhvillua në mjediset e “Shtëpisë së Evropës” në Tiranë, në prani të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së: Francë, Spanjë dhe Greqi, të Ngarkuarit me Punë të BE-së Alexis Hupin, Ministres së Arsimit të Shqipërisë Evi Kushi, të diplomuarve EMJMD, si dhe përfaqësuesve nga Austria dhe Italia. I ngarkuari me Punë i BE-së Alexis Hupin përgëzoi studentët për arritjet e tyre të rëndësishme dhe përsëriti mbështetjen e BE-së për fuqizimin e të rinjve shqiptarë. Sipas Hupin-it, studentët duhet ta konsiderojnë programin si një mundësi unike për zhvillim personal dhe provë konkrete të investimit të BE-së për një të ardhme më të mirë për vendin e tyre. “Përtej anëtarësimit, me Konferencën Ndërqeveritare dhe procesin e shqyrtimit, i cili ndonjëherë duket i largët, këto bursa janë rezultate shumë konkrete të BE-së. Biletat po vijnë dhe ju do të studioni në BE”, deklaroi Hupin.

Ministrja Evi Kushi, gjatë fjalës së hapjes, përgëzoi studentët për marrjen e bursave. Ajo e quajti EMJMD-në një program të shkëlqyer që u ofron studentëve mundësinë për të studiuar dhe jetuar në dy ose më shumë universitete prestigjioze evropiane. Kushi u bëri gjithashtu thirrje studentëve që sapo të mbarojnë studimet të kthehen në Shqipëri dhe të vënë në zbatim përvojat e fituara në vendet anëtare të BE-së. “Kontributi juaj mund të jetë shumë herë më i madh se kontributi i studentëve që kanë shkuar për të studiuar jashtë gjatë viteve të kaluara. [Pas Konferencës Ndërqeveritare të parë] ky është një moment i rëndësishëm për ju dhe të gjithë ne. Prandaj, ju ftojmë të studioni në vendet e BE-së dhe të merrni përvoja pozitive atje, por në fund të studimeve të ktheheni, sepse vendi ka nevojë për ju”, tha Kushi.

Veprimtaria përfshiu gjithashtu një panel të hapur, ku të diplomuarit e Erasmusit dhe fituesit e bursave EMJMD ndanë përvojat e mëparshme dhe pritshmëritë e tyre rreth programit të ardhshëm me përfaqësuesit e BE-së nga Austria, Greqia, Italia, Spanja dhe Franca. Për të nderuar arritjet e tyre, gjatë ceremonisë, i Ngarkuari me Punë i BE-së, Alexis Hupin, së bashku me ministren Kushi dhe përfaqësues të BE-së, i dorëzuan secilit prej fituesve nga një certifikatë të veçantë.

19 fituesit e bursave EMJMD u përzgjodhën mes dhjetëra studentëve të tjerë shqiptarë si kandidatët më të shkëlqyer. Falë programit, ata do të marrin diploma master në të paktën dy shtete anëtare të BE-së për deri në dy vjet, si dhe do të marrin diploma të përbashkëta ose të shumëfishta. Ndërkohë, bursat e financuara nga BE-ja do të mbulojnë kostot e pjesëmarrjes së studentëve në program, shpenzimet e tyre të udhëtimit dhe një kompensim për jetesën. Që nga viti 2014, BE-ja ka dhënë bursa EMJMD për 117 studentë shqiptarë.     

 

Të dhëna

Si një nga bursat më prestigjioze në botë, bursa EMJMD është një instrument i ofruar nga Erasmus+. Ky i fundit është programi kryesor i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Këtë vit programi Erasmus+ feston 35 vjetorin e tij. Për të shënuar suksesin e tij, më 1 korrik, hyri në qarkullim në Eurozonë monedha e re 2 euro Erasmus+.

Deri tani, Erasmus+ ka ofruar grante lëvizshmërie për gati 9 mijë studentë, studiues, staf akademik dhe administrativ nga Shqipëria. Ai u ka mundësuar gjithashtu universiteteve vendase të ofrojnë diploma të reja të përbashkëta master me partnerët e tyre të BE-së, si dhe u ka mundësuar shumë të rinjve nga Shqipëria të marrin pjesë në programe shkëmbimesh, vullnetarizmi ose punëtorësh. Globalisht, Erasmus+ mbështetet nga ndihma e fuqishme financiare prej 26.2 miliardë euro dhe 2.2 miliardë euro shtesë nga instrumentet e jashtme të BE-së.

 

Skedë informuese - ERASMUS+ dhe Programi i Bursave EMJMD - Mundësi të posaçme për studentët, akademikët dhe institucionet shqiptare.