Fjalimi i ambasadores së BE-së, Christiane Hohmann në marshin e solidaritetit "Tirana qëndron me Ukrainën"

Fjalët e mia të para janë për ju, Volodymyr,

Juve, si Ambasador i Ukrainës, që përfaqësoni kombin tuaj sot këtu, unë, që përfaqësoj këtu Bashkimin Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij, dëshiroj t’ju them:

Qytetarët tuaj, ushtarët tuaj, shoqëria juaj civile, autoritetet tuaja dhe Presidenti juaj, Volodymyr-i tjetër, janë një burim admirimi për ne.

Ishin të shumtë ata që u gabuan dy herë.

Së pari, shumë, duke përfshirë edhe shumë prej nesh, refuzuan deri në minutën e fundit ta shihnin Rusinë ashtu siç ishte dhe ende është: një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që shkel haptazi të drejtën ndërkombëtare.

Ky ishte dhe mbetet një rast agresioni i pastër dhe një shkelje e qartë e Kartës së OKB-së, shoqëruar fatkeqësisht me krime të tmerrshme lufte nga Rusia kundër popullsisë ukrainase, të cilat ne i shohim çdo ditë.

Shumë u gabuan për herë të dytë duke minimizuar shanset tuaja ushtarake pas 24 shkurtit.

Ju provuat se e kishin gabim!

Çdo ditë, Ukraina bën një rezistencë heroike, e cila do të hyjë në historinë e njerëzimit.

Guximi juaj, qëndresa juaj, zgjuarsia juaj kanë shkaktuar më shumë se admirim, ato janë një burim frymëzimi.

Fjalët e mia së dyti shkojnë për Shqipërinë, qytetarët dhe autoritetet e saj.

Me ju, ne patëm praktikisht një tjetër shtet anëtar të BE-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Duke mbështetur dhe duke u rreshtuar me sanksionet kundër Rusisë, ju na treguat se ndajmë të njëjtin vizion për botën. Përtej Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe regjimit të sanksioneve, ajo çka është mbresëlënëse është konsensusi i fuqishëm nga populli.

Një konsensus nga populli, që për shkak të historisë suaj, nuk lë pothuajse fare vend për fushatën e dezinformimit të Rusisë.

Një konsensus ku në betejën e narrativave, e drejta ndërkombëtare dhe siguria fituan pa asnjë dyshim.

Fjalët e mia të fundit janë për të gjithë ne këtu.

Bashkimi Evropian, shtetet aspiruese dhe aderuese si Shqipëria apo Ukraina ndajnë, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, të njëjtat vlera. Vlerat e lirisë, demokracisë, respektimit të së drejtës ndërkombëtare, sigurisë, solidaritetit, multilateralizmit dhe paqes.

Një nga ish-zyrtarët tanë, Stefan Lehne, së fundi ka vënë në dukje se Jean Monnet, një nga baballarët themelues të BE-së thoshte: “Unë gjithmonë kam besuar se Evropa do të ndërtohej përmes krizave dhe se do të ishte shuma e zgjidhjeve të tyre”.

Monnet ofroi gjithashtu një shpjegim për këtë efekt krijues që mund të kenë krizat, duke shtuar: “Njerëzit e pranojnë ndryshimin vetëm kur përballen me domosdoshmërinë dhe e njohin domosdoshmërinë vetëm kur ndodh një krizë”.

Volodymyr, kjo luftë na solli domosdoshmërinë për të vepruar dhe për të bërë gjithçka që duhet për të mbështetur vendin tuaj dhe për të përkrahur vlerat tona të përbashkëta.

Slava Ukraini!