Krenarë që kemi të drejta: Promovimi i barazisë, përfshirjes sociale dhe mosdiskriminimit në Shqipëri

"Ne shpesh priremi t’i refuzojmë gjërat për të cilat nuk kemi dëgjuar, gjëra që nuk i njohim ose gjëra që nuk duam t'i njohim. Kjo është arsyeja pse nevojitet më shumë ndërgjegjësim. Sa më shumë të flasim për të drejtat e njeriut aq më shumë do t'i kuptojmë dhe pranojmë ato", thotë Rozeta Gradeci, përfaqësuesja e COSPE-s (Bashkëpunimi për Zhvillimin e Vendeve në Zhvillim) në Shqipëri, e cila ka rreth 25 vjet që punon për të drejtat e njeriut. Përmes projekteve të ndryshme, ajo ka arritur të kuptojë se si mentaliteti përcakton një shoqëri dhe formëson fatet e disa komuniteteve, duke treguar se si jetojnë, si ndiejnë dhe si e përjetojnë veten e tyre. E drejta për të qenë ai që je, pa gjykim, ka qenë e vështirë, me gjithë përpjekjet që janë bërë.

"Fushatat informuese janë të rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar fuqizimin e grave dhe të drejtat e personave LGBTIQ+, si dhe përpjekjet e përbashkëta me institucionet qeveritare, pasi të drejtat e njeriut nuk kanë të bëjnë vetëm me individët, por edhe me mirëqenien sociale. Si qytetarë, të gjithë kemi të drejtë të jetojmë së bashku në një shoqëri të larmishme që u mundëson të gjithëve të marrin pjesë pa frikë nga diskriminimi, ngacmimi, paragjykimi apo përjashtimi”, shton ajo.

Gradeci aktualisht po punon me projektin "Krenarë që kemi të drejta: Promovimi i barazisë, përfshirjes sociale dhe mosdiskriminimit të GRAVE dhe personave LGBTIQ+ në Shqipëri", që synon të fuqizojë organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave dhe çështjet LGBTIQ+ në zonat e Tiranës, Shkodrës dhe Lezhës për të luajtur rolin e tyre në mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për barazinë gjinore dhe kundër dhunës me bazë gjinore.

Projekti i financuar nga BE-ja, që përfshin COSPE-n, Qendrën e Grave "Hapat e Lehta" dhe OMSA-në (Open Mind Spectrum Albania), është një program tre-vjeçar që synon arritjen e politikave më efektive gjinore në Shqipëri.

"Ne duam të krijojmë një agjendë që përfshin ndërhyrje për të përmirësuar të drejtat e grave dhe komunitetit LGBTIQ+. Organizatat që punojnë me të drejtat e njeriut, gratë dhe anëtarët e komunitetit LGBTIQ+ do të ftohen për të identifikuar problemet në zonat e tyre dhe për të sugjeruar zgjidhje. Këto sugjerime më pas do të të përdoren për të hartuar agjenda, të cilat do të prezantohen në tryeza ndërinstitucionale për të kërkuar plane veprimi”, shpjegon Denada Shpuza, Drejtuese e Qendrës së Grave “Hapat e Lehta” në Shkodër. Një pjesë e programit fokusohet gjithashtu në përmirësimin e shërbimeve të ofruara për viktimat e dhunës me bazë gjinore, duke përfshirë mbështetjen psikosociale, punësimin, arsimimin dhe mundësi të tjera që do t'i fuqizonin ato.

Në përpjekje për të siguruar një jetë të lirë nga të gjitha format e dhunës dhe diskriminimit për gratë dhe individët LGBTIQ+, projekti synon të eliminojë pengesat e dukshme dhe të padukshme, si dhe të hapë rrugën për qasje të plotë në të drejtat civile dhe politike.

Për Arbër Kodrën, Drejtor Ekzekutiv i OMSA-s (Open Mind Spectrum Albania), nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse që kombinon advokimin, edukimin dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për të thyer qëndrimet e dëmshme patriarkale dhe për të luftuar diskriminimin.

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ligje të reja, por ka të bëjë me bërjen e ndryshimeve reale, pozitive, si dhe me ndërtimin e një komuniteti ku të gjithë, pavarësisht nga gjinia apo orientimi seksual, ndihen të respektuar dhe të sigurt. Për gratë dhe individët LGBTIQ+, ky projekt do të thotë të ndihen më të sigurt në komunitetet e tyre, të përjetojnë shëndet më të mirë mendor dhe të kenë më shumë mundësi për të marrë pjesë në aktivitete sociale dhe ekonomike Duke krijuar një mjedis mbështetës që amplifikon zërat e atyre që shpesh nuk dëgjohen, ka të bëjë me transformimin e jetës dhe ndërtimin e një shoqërie ku të gjithë mund të përparojnë”, thekson Kodra.

Arber Kodra

Fushatat kombëtare në aktivitete publike dhe media sociale janë pjesë e programit. Përveç kësaj, Akademia e të Drejtave Gjinore do t’i trajnojë të rinjtë për ngritjen e kapaciteteve për të promovuar të drejtat e grave dhe personave LGBTIQ+. Duke përqafuar vlerat dhe të drejtat për të jetuar dhe dashuruar, ata do të sjellin ndryshimin e nevojshëm për një shoqëri që i përfshin të gjithë.

 

INFORMACION

“Krenarë që kemi të drejta- Promovimi i barazisë, përfshirjes sociale dhe mosdiskriminimit të GRAVE dhe personave LGBTIQ+ në Shqipëri” është një projekt i financuar nga BE-ja. Grupet e synuara janë 30 OSHC, rrjete dhe grupe aktive për të drejtat e grave dhe personave LGBTIQ+. Projekti përfshin 1.500 gra dhe aktivistë LGBTIQ+, si dhe 300 gra dhe persona LGBTQI+ viktima të dhunës me bazë gjinore dhe diskriminimit. Programi synon të punojë me ministritë dhe politikëbërësit në nivel vendor e qendror që merren me të drejtat e njeriut dhe çështjet e mirëqenies sociale, punën dhe arsimin, si dhe të përfshijë punonjës socialë, psikologë dhe mësues. Përfituesit përfundimtarë janë 5.000 persona të lidhur me grupet e grave dhe komunitetet LGBTIQ+, përfshirë familjet dhe bashkëmoshatarët, si dhe 20.000 persona nga komunitetet vendore dhe shoqëria në përgjithësi (kryesisht në Shqipërinë e Veriut).