Rritja e kujdesit për të moshuarit: Një projekt i financuar nga BE-ja përmirëson jetën e tyre në Tiranë

Ekziston një thënie: "Një shoqëri matet nga mënyra se si e trajton popullsinë e saj më të cenueshme". Në Tiranë, kjo ndjenjë rezonon thellësisht, pasi Bashkimi Evropian ka krijuar partneritet me Bashkinë e Tiranës dhe Shoqatën “Ryder Albania” për të siguruar një jetë me dinjitet për të moshuarit që jetojnë në bashkinë më të madhe të Shqipërisë, përmes një projekti të dedikuar: "Ofrimi i Shërbimeve të Kujdesit në Shtëpi për të Moshuarit në Tiranë".

Projekti nisi në prill 2023. Në fazën e parë do të synojë më shumë se 220 të moshuar që kanë nevojë për mbështetje të personalizuar në shtëpi, dhe më vonë do të zgjerohet për të ndihmuar mbi 800 të moshuar. Këta të moshuar u referuan përmes kanaleve të ndryshme, duke përfshirë njësitë administrative, qendrat sociale, organizatat jopublike, institucionet e shëndetit publik dhe referimet e qytetarëve.

Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, i pranishëm në prezantimin e projektit, theksoi rëndësinë e projektit, duke u shprehur: “Ofrimi i mundësive dhe kujdesit për gjithë qytetarët, madje edhe më të cenueshmit, është një nga vlerat kyçe të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, BE-ja është shumë krenare që financon këtë projekt ambicioz që mbulon temën thelbësore të kujdesit afatgjatë për të moshuarit”.

Projekti ka një qasje shumëdisiplinore dhe bashkëpunon me aktorë të ndryshëm, duke përfshirë aktorët vendorë, organizatat e shoqërisë civile, si dhe ministritë përkatëse. Kjo qasje krijon një precedent për përmirësimin e kujdesit për të moshuarit dhe vendos një model të shërbimit shumëdisiplinor të kujdesit në shtëpi për të moshuarit në gjithë Shqipërinë.

Granti prej 300,000 Eurosh për këtë projekt është pjesë e programit “BE-së për Përfshirjen Sociale”, i cili është një nismë 5-vjeçare, prej 70 milionë Eurosh të financuara nga BE-ja për të mbështetur qeverinë shqiptare për zgjerimin e shërbimeve të mbrojtjes sociale, arsimit dhe punësimit për grupet në rrezik për varfëri dhe përjashtim social, duke përfshirë të rinjtë, burrat dhe gratë e rrezikuar, personat me aftësi të kufizuara dhe pakicat. Programi planifikon të mbështesë 19 bashki në mbarë Shqipërinë